Është zhvilluar sot më datë 13 Qershor 2018 në ambientet e Hotel Life Gallery, të qytetit të Korçës seminari me temë Instrumentet financiarë dhe Programet në mbështetje të SME-ve Shqiptare. Ky event u organizua nën kujdesin e veçantë të Programit Italo–Shqiptar për Zhvillimin  e SME-ve në Shqipëri në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve-AIDA.

Aktorë të ndryshëm pjesëmarrës në këtë seminar, diskutuan mbi mundësitë e ndryshme për të mbështetur biznesin vendas nëpërmjet skemave të financimit.

Ekspertë të AIDAs bënë prezantime mbi shërbimet e ofruara nga agjencia për fondet grant ku u vu theksi në mbështetjen e biznesit, veçanërisht  SME-ve, për të përmirësuar kapacitetet e tyre si dhe hyrjen e tyre në tregjet ndërkombëtare.

Përfaqësuesja e AIDAs Znj. Migena Muslli bëri gjithashtu një prezantim mbi Rrjetin Europian të Ndërmarrjeve, gjatë së cilit u shpjeguan shërbimet dhe funksionet që ofron ky Rrjet si një mundësi e mirë për SME-të shqiptare të gjejnë partnerë strategjikë dhe të zgjerohen në tregje të reja.

Që nga krijimi i tij, ky rrjet ka kontribuar në tërheqjen e klientëve drejt eventeve ndërmjetësuese ndërkombëtare, organizimin e eventeve lokale duke tërhequr mijëra kompani të vogla dhe të mesme në botë, misione biznesi, si dhe ka kontribuar në firmosjen e shumë marrëveshjeve të partneritetit.