Dhoma e Tregtisë, Industrisë, Artizanatit dhe Agrikulturës organizoi në datat 20-22 Shtator 2018 në Torino, Itali eventin “Food for Change B2B, Salone del Gusto 2018”. Eventi synonte të sillte bashkë kompani nga vende të ndryshme të botës për të gjetur partnerë të rinj ndërkombëtar.

Sektorët në fokus të këtij aktiviteti ishin eko paketimi; prodhimi i qëndrueshëm; zinxhiri i vlerave digjitale; bujqësia dhe dizajni ushqimor.

Pjesëmarrës në këtë event nga Shqipëria ishin përfaqësues nga AIDA, Cooperazioni Italian në Shqipëri, Këshilli i Agrobiznesit dhe Universitetit Bujqësor.

Në datën 20 shtator u zhvillua eventi “Technological Brokerage” i cili ishte i hapur për kompanitë, universitetet, institutet R & D që kërkonin / ofronin teknologji të reja në sektorin e Agrofood dhe / ose partnerët për projektet e BE. Përfaqësuesit nga Shqipëria zhvilluan takimet e tyre sipas axhendës së paracaktuar. Përfaqësuesit e Cooperacionit Italian takuan kompani të sektorit të agrobujqësisë, ku u diskutuan mudësitë e bashkëpunimit me Shqipërinë.

Përfaqësuesi i Këshillit të Agrobiznesit zhvilloi takime me kompani në fushën e bujqësisë dhe duke krijuar kontakte për lidhjen me kompanitë shqiptare në këtë sektor. Përfaqësuesi i Universitetit realizoi takime me përfaqësues të inkubatorëve dhe universitetit politeknik të Torinos.

Në datat 21 shtator u zhvilluan takime B2B ndërmjet të gjitha kompanive pjesëmarrëse operuese në këtë sektor. Përfaqësuesit e delegacionit shqiptar përsëri realizuan takime me kompani referuar axhendës së tyre. Ata takuan kompani në sektorin agro dhe përfaqësues të shoqatave të agrobiznesit ku identifikuan dhe pikat e bashkëpunimit.

Paralel me eventin B2B zhvillohej dhe panairi Terra Madre –Salone del Gusto 2018, ku kompani shqiptare të mbështetura nga Cooperazione Italiana në Shqipëri kishin marrë pjesë me stendë. Kompanitë ishin Gliko Gjirokastre, Jufkat Dibrane, Vila Shehi dhe fermerë të bimëve medicinale. Përfaqësuesi i AIDAs zhvilloi takime me kompanitë Shqiptare duke promovuar fondet e AIDAs, Rrjetin Europian të Ndërmarrjeve si dhe shkëmbeu kontakte.